info@lpsh-al.org     Tel: +377 44 192 683

Prof. Dr. Ulvi Vehbiu

Anëtar Nderi i LPSH

Prof. Dr. Ulvi Vehbiu – një nga personalitetet më të shquara të Psikiatrisë shqiptare

Prof. UIvi Vehbiu lindi në Gjirokastër me 31 maj të vitit 1931.
Shkollën 8 vjeçare dhe arsimin e mesëm të përgjithshëm i mbaroi në qytetin e lindjes. Në gjimnazin “Asim Zeneli” ishte ndër maturantët që  arriti të vlerësohej me “Medalje ari”. Studimet e larta në fushën e mjekësisë i vazhdoi në Institutin e Parë të Mjekësisë në Moskë, të cilat i mbaroi me “Diplomë të Shkëlqyer” në vitin 1956. Në përfundim të studimeve, zgjodhi të specializohej në fushën e vështirë të neuropsikiatrisë, edhe pse asokohe në Shqipëri profesioni i psikiatrit, shihej si i çuditshëm, gati-gati në kufirin midis magjistarit dhe mjekut. Ndërkohë që ishte student – shkruan një bashkëkohës i tij – “emri i Ulvi Vehbiut u dëgjua për mirë edhe në kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik”. Në një numër të gazetës “Pravda” shkruhej mbi “studentin e famshëm shqiptar”. Ndërsa, sipas Prof. Ilir Gjylbegut, mikut të ngushtë të Prof. Ulviut, gjatë specializimit në Moskë,  “shefi rus i Klinikës së Psikiatrisë, midis shumë mjekëve të tjerë nga shtetet e ndryshme, ia besonte vetëm  atij studentët në praktikën mësimore”.

I pajisur me njohuri të thella neuropsikiatrike në një shtet të huaj kthehet menjëherë në Shqipëri. Katedra e Neuropsikiatrisë, e ngritur në Tiranë  në vitin 1952, vazhdonte të zhvillonte veprimtarinë e saj klinike e pedagogjike. Ndërsa në 1956-ën ishte hapur edhe Klinika e Psikiatrisë,  e cila ishte bërë qendër kualifikimi e specializimi për mjekë neuropsikiatër për të gjithë vendin. Pikërisht në vitin 1956 Dr. Ulvi Vehbiu filloi punën si pedagog i lëndës së Psikiatrisë. Le ta ndjekim hap pas hapi aktivitetin e tij të gjithanshëm.

Vetëm 5 vjet mbas fillimit të punës, në vitin 1961, Dr. U. Vehbiu mbrojti gradën “Kandidat i Shkencave Mjekësore” me studimin: “Psikozat skizofrenike dhe skizofreniforme me bazë luesi kongjenital”, pjesë të të cilit u botuan në vitin 1966 nën titullin “Skizofrenia dhe psikozat organike skizofreniforme”.

Kur zhvillimi i procesit pedagogjik me studentët në Fakultetin e Mjekësisë ishte në hapat e para dhe mësimi bëhej vetëm duke mbajtur shënim leksionet, problem kryesor i ditës ishte hartimi i teksteve mësimore. Në vitin 1964, bashkë me Prof. Xh. Gjatën, Dr. U. Vehbiu botoi dispensën për studentët: “Sëmundjet mendore”. Ndërsa në vitin 1966 botoi “Leksione mbi psikopatologjinë e përgjithshme”, e cila u ribotua në 1969-tën me titullin “Psikopatologjia e përgjithshme”. Po këtë vit nxorri nw qarkullim edhe monografinë “Urgjenca psikiatrike”, në ndihmë të të gjitha strukturave psikiatrike të vendit.

Nga vitet 1970 vazhdoi të ishte anëtar i KEMP-Epror të Shqipërisë për sëmundjet mendore, një nga institucionet tona psikiatrike më të specializuara, kurse gjatë periudhës 1980-1991 kreu detyrën e kryetarit të këtij komisioni. Kriteret e përcaktimit të aftësisë në punë për të sëmurët psikiatrikë u hartuan për herë të parë nga Doc. U. Vehbiu. Në vitin 1971 mori titullin “Docent” dhe u emërua shef i Klinikës së Psikiatrisë, të cilën e drejtoi me kompetencë të lartë profesionale dhe administrative deri sa doli në pension.

Në fillim të vitit 1971, Doc. U. Vehbiu kreu një specializim 6-mujorë në Paris mbi Psikoterapinë relaksative të Shulcit, një degë e pashkeluar deri atëherë në psikiatrinë tonë dhe, ndër të tjera, pati fatin të ndiqte edhe leksione nga psikanalisti i madh Zhak Lakan. Pas kthimit në Shqipëri, megjithë kufizimet ideologjike të kohës, u përpoq shumë për të futur në praktikën tonë psikiatrike psikoterapitë, fillimisht trajtimin me psikoterapi relaksative të disa çrregullimeve anksioze. Një nga specializantët e asaj kohe tregon se leksioni i parë për psikanalizën u mbaj nga Doc. U. Vehbiu në vitin 1974.

Si një nga mjekët më të aftë nga ana shkencore dhe gjuhësore, me korrektësinë dhe skrupulozitetin e rrallë që e karakterizonte, Doc. U. Vehbiu kreu njëkohësisht detyrën e kryeredaktorit të “Buletinit të Shkencave Mjekësore” të UT në vitet 1972-1993.

Gjatë periudhës 1970-1980, Katedra e Neuropsikiatrisë zhvilloi një veprimtari të madhe botuese dhe shkencore në dobi të procesit pedagogjik. Doc. U.  Vehbiu është bashkautor me Prof. Xh. Gjatën dhe Doc. H. Dibrën në tekstin e parë mësimor për studentët të titulluar “Psikiatria”, botuar në vitin 1972. Ndërsa në vitin 1974, nën drejtimin e tij, një grup autorësh botuan monografinë “Lëndët psikotrope”, e cila ishte shumë e rëndësishme për praktikën terapeutike të të gjithë mjekëve psikiatër e neuropsikiatër të Shqipërisë. Në vitin 1975, Doc. U. Vehbiu botoi dy tekste të tjera: “Udhërrëfyes i psikiatrisë klinike”  (me bashkautorë) dhe “Psikiatria ligjore”. Si ekspert psikiatër-ligjor ai dha një kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj dege të psikiatrisë, duke e dhënë mësim si lëndë për shumë vite, jo vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, por edhe për studentët e Fakultetit Juridik.  Në po këtë vit ai botoi një libër tjetër mjaft të vlefshëm për studentët dhe specializantët e psikiatrisë, “Manual etimologjik psikiatrik”. Monografia “Skizofrenia dhe psikozat e ngjashme me të”, e vitit 1976, ishte rezultat i një studimi të gjerë të çrregullimeve psikotike nga një grup i madh mjekësh psikiatër dhe neuropsikiatër nën drejtimin e Doc. U. Vehbiut. Pas një viti doli nga shtypi edhe një monografi e tij mbi “Neurozat”.

Fillesat e para të kualifikimit pasuniversitar në mjekësi i përkasin periudhës 1956-1957. Një kontribut  shumë të madh në këtë drejtim në vitet e mëvonshme ka dhënë Prof. U. Vehbiut. Si zv/dekan i Fakultetit të Mjekësisë për këtë problem për 11 vjet, ai e ktheu atë në një proces të rregullt mësimor, me programe e plane mësimore për të gjitha specialitetet.

Me iniciativën e Doc. U. Vehbiut, në  vitin 1978 u fut në mjekimin e çrregullimeve psikotike, kryesisht të skizofrenisë, antipsikotiku i parë i gjeneratës së re, klozapina, duke shënuar  një kthesë të rëndësishme në kapërcimin e rezistencës terapeutike dhe në përmirësimin e prognozës së tyre. Gjithashtu, me përpjekjet e Doc. U. Vehbiut u arrit të futej për herë të parë në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin 1980, lënda “Psikologjia klinike”, që mbulohej prej tij. Më vonë botoi edhe tekstin mësimor ”Njohuri mbi Psikologjinë dhe Etikën Mjekësore” (1987), një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj nevojave të procesit pedagogjik me studentët e vitit të parë.

Për nevojat e punës pedagogjike me studentët dhe specializantët e psikiatrisë, Doc. U. Vehbiu, bashkë me Dr. N. Polimerin e T. Pikulin, botoi në vitin 1985 edhe tekstin e dytë mësimor për specializantët dhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë, “Psikiatria Klinike”, një libër shumë i përshtatshëm dhe i hartuar më të dhënat më të fundit të literaturës psikiatrike. Ky tekst ishte i domosdoshëm dhe kontribuoi shumë në ngritjen në një nivel tjetër zhvillimi të psikiatrisë tonë.

Në vitin 1986 Doc. U. Vehbiu mbrojti titullin “Doktor i Shkencave” me studimin: “Ecuria e skizofrenisë dhe mjekimi i saj me neuroleptikë”. Për herë të parë u arrit të përcaktohej shpeshtësia e kësaj psikoze në rrethin e Tiranës, që rezultoi 0.29 %. Ndërkohë ai vazhdontë të bënte punë mjaft intensive klinike, pedagogjike e shkencore. Shumë i rëndësishëm ishte studimi mbi “Dukuritë anësore dhe ndërlikimet nga neuroleptikët”, një punim voluminoz klinik, anatomopatologjik e eksperimental, me të cilin Doc. U. Vehbiu mori titullin  “Profesor” në vitin 1988. Mbas dy vitesh ai u botua në formë monografie. Kështu, Prof. Dr. U. Vehbiu me një punë e këmbëngulje të jashtëzakonshme ngjitet në majën më të lartë të karrierës profesionale dhe shkencore, duke zënë një vend krejtësisht të veçantë e të nderuar në historinë mbi 90 vjeçare të Psikiatrisë shqiptare.

Pas viteve 1987 Prof. U. Vehbiu filloi të përkthejë e të studiojë intensivisht kriteret diagnostike të sëmundjeve mendore, sidomos ICD-9-tën e OBSH-së dhe DSM-III-shin e Shoqatës së Psikiatërve Amerikanë. Përveç referimeve për  njohjen dhe zbërthimin e tyre në mbledhjet e shpeshta me stafin, madje jo rrallë edhe në orët e mbasditeve, u zhvilluan seminare edhe me psikiatrit e neuropsikiatrit e rretheve.  Kjo ndikoi shumë pozitivisht në rritjen e aftësive diagnostikuese të të gjitha strukturave psikiatrike në vend. “Klasifikimi i 9-të Ndërkombëtar i Sëmundjeve Mendore”, i përkthyer nga Prof. U. Vehbiu, u botua në vitin 1989.

Në vitin 1988, Prof. U. Vehbiu zgjidhet shef i Katedrës së Neuropsikiatrisë, të cilën e drejtoi deri në vitin 1992, kur katedra u shkri dhe Neurokirurgjia e Psikiatria kaluan departamente më vete. Në këtë kohë u emërua shef i Departamentit të Psikiatrisë dhe vazhdoi të drejtojë atë deri sa ndërpreu përfundimisht punën.

Veprimtaria pedagogjike e botuese e Prof. U. Vehbiut nuk u ndërpre deri në vitin 1990, kur bashkë me Doc. N. Polimerin, botuan tekstin e ri mësimor: “Udhërrrëfyes i Psikiatrisë Klinike”. Ai ishte përshtatur në mënyrë shumë profesionale për studentët, duke e bërë studimin e lëndës më të lehtë dhe më efektiv për ta.

Prof. U. Vehbiu, ka marrë pjesë dhe ka referuar në disa veprimtari psikiatrike ndërkombëtare: si në Konferencën e parë shkencore mbi psikopatitë (Bukuresht, 1969); në Kongresin e Tretë Botëror të Psikiatrisë Biologjike (Stokholm, 1981) me referatin mbi ndryshimet e tablosë klinike dhe të ecurisë së skizofrenisë nga mjekimi me neuroleptikë; në Kongresin e 7-të botëror të Psikiatrisë (Vjenë, 1983) me referatin “psikoza skizoafektive”; në Konferencën mbi shëndetin mendor të të moshuarve (Kopenhagë, 1989), ku referoi mbi shëndetin mendor të kësaj moshe në Shqipëri etj.

Bibliografia e punimeve shkencore, e referimeve dhe botimeve, e dokumentuar nga vetë Prof. Ulviu arrin shifrën 154.

Në shtator të vitit 1993 Prof. Ulvi Vehbiu doli në pension. Të gjithë mund të parashikojnë boshllekun që lënë pas kur largohen nga puna personalitete të tilla, por përmasat dhe pasojat e tij u qartësuan mirë kur vendi i tij mbeti bosh. Ai emigroi dhe punoi për 12 vjet në SHBA. Gjatë kësaj kohe lidhjet me profesorin pothuajse u ndërprenë, por në Konferencën e 3-të Kombëtare të SHSHP-së, nëntor 2000, ai dërgoi një përshëndetje për pjesëmarrësit nga New York-u, në të cilën, pasi theksonte se kujtonte çdo ditë me mall e nostalgji dhe sillte ndërmend anët më të mira të marrëdhënieve me stafin dhe përpjekjet e jashtëzakonshme të bëra së bashku për të çuar përpara shërbimin e psikiatrisë, vazhdonte: “Të më besoni se nuk ka gjë më të bukur se Psikiatria. Unë për pak muaj bëhem 70 vjeç. Sikur të kisha edhe një jetë të dytë do t’ia kisha kushtuar tërësisht Psikiatrisë, përparimet e së cilës janë me të vërtetë mahnitëse, sidomos këto 10 vitet e fundit…”

Prof. U. Vehbiu u kthye përfundimisht në Shqipëri në vitin 2005. Vetëm me iniciativën dhe porosinë direkte të ish-Ministrit të Shëndetësisë, Leonard Solis, u organizua një konference shkencore kombëtare në mjediset e këtij institucioni më 11 prill 2005, ku ai referoi me shumë pasion mbi barnat antidepresivë. Në vitet e mëvonshme, megjithëse tashmë në moshën 74 vjeçare, iu rikthye punës së përditshme në disa shërbime psikiatrike ambulatore private me një përkushtim të pashoq dhe me një nivel profesional e shkencor akoma më të lartë. Në konferencën e parë të shoqatës LPSH-së, në shtator 2006, ku mori pjesë, Prof. U. Vehbiu u zgjodh njëzëri “Anëtar Nderi” i Lidhjes. Për herë të fundit ai mori pjesë dhe mbajti një referat mbi antipsikiatrinë në konferencën e LPSH, Prishtinë, në prill 2008.

Me 15 qershor të vitit 2010, pas një sëmundjeje të rëndë e të pashërueshme, u shua në SHBA jeta e Prof. Ulvi Vehbiut. Ishte një humbje shumë e madhe për të gjithë mjekësinë shqiptare, e sidomos për psikiatrinë tonë. Meqenëse vdekja ndodhi jashtë atdheut varrimi i tij në Shqipëri u shty për disa ditë. Duke e lënë amanet t’ia digjnin trupin dhe në Tiranë të vihej në varr vetëm hiri, mendoj se edhe me vdekjen e tij arriti të sjellë diçka të re në traditën e shenjtë zakonore shqiptare. Prof. U. Vehbiu është ndër të paktët shqiptarë të shquar që vendosën të largohen nga jeta në këtë mënyrë. Ceremonia e varrimit u zhvillua në Tiranë me 1 korrik 2010.

E gjithë jeta e Prof. U. Vehbiut ishte modeli i intelektualit të përmasave të mëdha, i pedagogut shumë produktiv e të lidhur ngushtë me veprimtarinë e gjithanshme klinike e mësimore në auditoret e Fakultetit të Mjekësisë, i psikiatrit të nivelit europian, i njeriut të palodhur, i organizatorit të pashoq që veten e shihte gjithnjë në ballë të punës, i etalonit të rrallë të sjelljes korrekte e bashkëpunimit kolegjial. Ai punoi mbi 38 vjet në shërbim të të sëmurëve mendorë me një nivel jashtëzakonisht të lartë profesional dhe me një përkushtim të pakrahasueshëm. Veprimtaria e tij klinike, pedagogjike e shkencore qëndron në themelin rritjes dhe zhvillimit bashkëkohor të Psikiatrisë shqiptare.

Breza të tërë mjekësh, pedagogësh e studentësh do ta ruajnë të gjallë në kujtesë  Prof. Ulvi Vehbiun, pedagogun, kolegun dhe mikun e tyre të shtrenjtë. Shumë nga familjarët dhe ish-pacientët e tij do ta kujtojnë me nderim për përkushtimin profesional, etikën mjekësore dhe gatishmërinë për t'ua dëgjuar shqetësimet dhe për t’u zgjidhur hallet e shumta. Në ditët e sotme është e vështirë të kuptohet motivimi i një mjeku si Prof. U. Vehbiu që, edhe pse në moshë të thyer, e shkrinte jetën në punë, pothuajse me të njëjtin zell si në rininë e tij. Profesori punoi pa u lodhur dhe luajti rol vendimtar jo vetëm në krijimin e konsolidimin e Psikiatrisë klinike në Shqipëri, por edhe në përgatitjen e brezave të tërë mjekësh psikiatër, që do të vazhdojnë të ruajnë me dashuri e respekt kujtimin dhe trashëgiminë e tij të pasur.

Përgatiti:

Prof. Asc. Dr. Vuksan Kola

Tiranë, 27 qershor 2014

Anëtarët e Bordit Drejtues të LPSH

Bordi Drejtues përbëhet nga 12 anëtarë me mandat 3 vjeçar ( 2021 -- 2023 )

Dr. Taulant Pengili

Anëtar i Bordit të LPSH

Më shumë

Dr. Nazife Hulaj

Anëtare e Bordit të LPSH

Më shumë

Dr. Lefter Sinani

Nënkryetar i LPSh-së

Më shumë

Dr. Fejzulla Nebiu

Anëtar i Bordit të LPSH

Më shumë

Dr. Shukrije Statovci

Kryetare e LPSh-së (2021-2023)

Më shumë

Dr. Valbona Alikaj

Anëtare e Bordit të LPSH

Më shumë

Dr. Valbona Tafilaj

Anëtare e Bordit të LPSH

Më shumë

Dr. Ramadan Halimi

Sekretari

Më shumë