Të dashur kolegë dhe miq,
Lidhja e Psikiatrisë Shqiptare, e udhëhequr nga Bordi i ri për periudhën 2024-2028, vazhdon të jetë një hapësirë e përbashkët për profesionistët e shëndetit mendor në të gjitha trevat shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Kjo platformë ekziston për të forcuar lidhjet tona profesionale, për të ndarë dijet dhe për të kontribuar së bashku në përmirësimin e shëndetit mendor në komunitetet tona.
Ne besojmë se psikiatria ka një rol të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe në ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme mendërisht. Në këtë frymë, angazhimi ynë është i përqendruar në:
• Sigurimin e standardeve më të mira në kujdesin psikiatrik për individët dhe familjet.
• Mbështetjen e edukimit dhe zhvillimit profesional të çdo anëtari të shoqatës.
• Rritjen e ndërgjegjësimit dhe luftën kundër stigmës së lidhur me problemet e shëndetit mendor.
Në katër vitet e ardhshme, nën drejtimin tim, shpresojme të organizojmë çdo vit një eveniment të tillë si simpozium shkencor ose konferencë për të ndarë zbulimet tona të fundit dhe për të bashkëpunuar më ngushtë. Këto aktivitete jo vetëm që do të përmirësojnë standardet profesionale, por gjithashtu do të forcojnë lidhjet tona dhe do të zgjerojnë mundësitë tona për bashkëpunim.
Faqja jonë synon të jetë një burim informacioni dhe një urë komunikimi mes nesh. Këtu mund të gjeni lajme mbi aktivitetet tona, mundësi për bashkëpunim dhe projekte që synojnë ta çojnë më tej misionin tonë të përbashkët.
Ju ftoj të bashkëpunojmë më ngushtë, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të kontribuojmë për një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.
Me respekt dhe përkushtim,
Dr. Lefter Sinani Kryetar i Lidhjes së Psikiatrisë Shqiptare